Mbahet punëtoria për reformën e financimit të shëndetësisë dhe komunikimin

Prishtinë, Kosovë, 08/12/2017 - 08:37

Organizuar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) dhe Departamenti i Informimit i Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbështetur nga Projekti i Shëndetësisë Kosovare (PSHK), sot në Prishtinë u mbajt punëtoria: "Reforma e financimit të Shëndetësisë dhe komunikimi".

Në këtë punëtori, ku është diskutuar për sigurimet shëndetësore në mënyrë specifike për aspektin e komunikimit me qytetarët dhe mediat, kanë marrë pjesë përfaqësues të Fondit të Sigurimeve dhe zyrtarët e informimit nga Ministrisa e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përfshirë edhe zyrtarët e spitaleve rajonale, përfaqësues nga Odat e Profesionistëve Shëndetësor, si Oda e Farmacistëve, Oda e Stomatologëve dhe Oda Infermierëve, si dhe përfaqësues edhe nga sektori jo-qeveritar.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, z. Sejdë Tolaj, ka folur për sigurimet shëndetësore, rëndësinë e tyre dhe nivelin e deritanishëm të ngritjes së kapaciteteve të Fondit dhe përgatitjet për fazat kur do të nis procesi i zbatimit të sigurimeve shëndetësore në Kosovë.

Dr. Fatime Arenliu -Qosaj, udhëheqëse e Njësisë së Projektit të Shëndetësisë Kosovare, financuar nga huamarrja prej Bankës Botërore në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ka njoftuar të pranishmit për aktivitetet e zhvilluara nga PSHK në mështetje të reformës së financimit të shëndetësisë dhe hapat e mëtejmë.

Dr. Faik Hoti, drejtor i informimit në MSh, ka prezantuar Strategjinë e Komunikimit për Sigurimin Shëndetësor dhe Planin e  Veprimit 2017-2021 (SKSSH) si dhe qasjen e rekomanduar për zbatimin e kësaj strategjie në arritjen e objektivit strategjik që është informimi korrekt dhe me kohë i qytetarëvë për sigurimet shëndetësore si dhe realizimin e një komunikimi efikas të brendshëm dhe të jashtëm.

Qëllimi i Strategjisë, tha ai, është që ajo si instrument të shërbejë që në mënyrë të strukturuar të ndihmohen të gjitha palët që ta kuptojnë ecurinë e procesit të reformimit të financimit të shëndetësisë që nis me zbatimin e skemës së sigurimeve shëndetësore publike, përmes një komunikimi të integruar dhe të ndërsjellë që në thelb ka dhënien dhe marrjen e informacionit në kohë.

Gjatë kësaj punëtorie janë elaboruar në detaje aktivitetet që i parasheh Strategjia si dhe janë zhvilluar edhe disa sesione praktike me qëllim të përgatitjeve më të mira që përmes komunikimit, të promovohet një besim i ndërsjellë në dialogun dhe komunikimin efikas midis MSh/Fondit dhe publikut, si dhe palëve të tjera pjesëmarrëse në procesin e zbatimit të skemës së sigurimeve shëndetësore në Kosovë.