Debat për sigurimet shëndetësore

Prishtinë, 01/11/2017 - 15:05

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore mori pjesë sot në tryezën e diskutimet: “Sigurimet shëndetësore po fillojnë”?!, të organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë - Prak.

Në këtë tryezë, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, SHSKUK-së, shoqatave jo-qeveritare, përfaqësues e menaxher të institucioneve shëndetësore dhe ekspertë të fushave shëndetësore, u diskutua për sigurimet shëndetësore në Kosovë, gjasat për fillimin e tyre, nivelin e përgatitjeve dhe hapat që duhet të ndërmirren me qëllim të fillimit të procesit të mbledhjes së premiumeve shëndetësore.

Z. Sejdë Tolaj tha se sigurimet shëndetësore janë proces mjaft me rëndësi për Kosovën, për qytetarët e saj dhe se shëndetësia po hyn në një kapitull të ri të saj, ku qytetarët do preken nga ndryshimi që sjellin sigurimet.

“Sistemi i financimit të shëndetësisë në tre nivelet e organizmit të saj është në proces të transformimit nga modeli i financimit i bazuar në tatime dhe taksa, në model të financimit të bazuar në pagesa të sigurimeve të obligueshme shëndetësore”, tha ai.

Tolaj tha se Fondi është në proces të vlerësimit të Sistemit Informativ të Fondit (SIF) i cili përpos pjesës së regjistrimit të siguruarve duhet të ketë edhe modulin për pagesat në objektet shëndetësore dhe menaxhimin financiar dhe kjo të jetë e ndërlidhur me bazat e të dhënave kryesore që mbahen nga Agjencitë, Ministritë duke përfshirë Administratën Tatimore (MF), Qendrën e Regjistrimit Civil (MPB), Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bankën Qendrore etj.

Ai ka folur edhe për aktet legjislative të miratuara dhe ato që do të miratohen si pjesë e plotësimit të legjislacionit, aktivitetet e planifikuara dhe aktivitetet e tjera në funksion të plotësimit të parakushteve për fillimin e mbledhjes së premiumeve, në të cilin proces duhet mbështetje e gjerë.

PRAK ndërkaq, ka prezantuar një përshkrim të gjendjes rreth sigurimeve shëndetësore; ngecjeve për fillimin e implementimit të sigurimeve që lidhen edhe me mungesë të resurseve, Sistemin e Informimit Shëndetësor, ndërkohë që kanë dhënë rekomandime që: të fillohet me kontraktimin e shërbimeve shëndetësore dhe jo mbledhjen e premiumeve dhe kontraktimi i shërbimeve të fillojë si projekt në formë pilotimi në një regjion të caktuar, i cili e ka të funksionalizuar Sistemin e Integruar të informimit Shëndetësor, etj.

Në këtë tryezë me diskutime dhe ide kanë kontribuar edhe pjesëmarrësit e tjerë.