Njoftim nga Bordi Drejtues i Fondit për Sigurime Shëndetësore rreth konkursit për pozitën Drejtor të FSSh-ës
Prishtinë
24/02/2023
Bordi Drejtues i Fondit të Sigurimit Shëndetësor dëshiron të falënderoj Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutin GAP dhe Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) për vëmendjen dhe komentet lidhur me procesin e rekrutimit të Drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor (në tekstin e mëtejmë: “Fondi”).
Fondi është institucion publik me interes të posaçëm, me autonomi ligjore të personit juridik, me të drejta, obligime, përgjegjësi dhe autorizime të veçanta, për zbatimin e ligjit për Sigurime shëndetësore. Si i tillë FONDI nuk rregullohet me Ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura por me Ligjin për Sigurimet shëndetësore.
Të punësuarit në këtë institucion nuk kanë statusin e shërbyesit civil.
Bordi Drejtues i Fondit që në stadin përgatitor për këtë rekrutim (konkursit për pozitën e Drejtorit të Fondit) ka zhvilluar konsultime të afërta edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht DMZP. Gjithashtu, është njoftuar edhe Projekti Britanik për Monitorimin e Rekrutimit të Pozitave të Larta Drejtuese.
Në këtë drejtim, janë bërë të gjitha përpjekjet që kushtet e rekrutimit të jenë në përputhje me Ligjin nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, Ligjin nr. 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor dhe praktikat më të mira rekrutuese, për çka dëshmojë korrespondencat tona me këto dy trupa.
Bordi Drejtues sqaron se Rregullorja nr. 10/2022 në të cilën është thirrur grupi nga shoqëria civile në reagimin e tyre publik nuk e përfshin në fushëveprimin e saj rolin e Drejtorit të Fondit si pozitë e lartë drejtuese e shërbimit publik, si dhe baza ligjore e rregullores në fjalë vlen për shërbimin civil. Punonjësit e Fondit nuk janë shërbyes civil dhe statusi i të punësuarve në Fond rregullohet vetëm me akte nënligjore që propozohen nga Bordi Drejtues dhe miratohen nga Qeveria sipas nenit 27.3 të Ligjit nr. 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor.
Më tej, në reagimin publik bëhet referencë në shtojcën nr. 1/2, sa i përket kërkesave arsimore dhe përvojës të punës me aplikueshmëri ndaj punonjësve të shërbimeve publike në një agjenci ekzekutive ose administratë të shërbimit publik. Fondi ka punonjës të shërbimit publik, por nuk është agjenci ekzekutive konform shtojcës 1 të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura.
Bordi Drejtues ka pas takime edhe me OJQ-të dhe ka dhënë sqarimet e duhura.
Kriteret janë të tilla që rrisin numrin e aplikantëve, pra hapin garën duke mundësuar konkurencë të plotë dhe përzgjedhje meritore. Referenca në LZP është bërë për aq sa ka qenë e mundur ligjërisht, duke e zbatuar frymën e tij, në përputhje me ligjin për shëndetësinë.
Në fakt, sipas bazës ligjore, të cilës i jemi përmbajtur strikt, Fondi është një institucion publik autonom, me një bord mbikëqyrës kuazi publik dhe i nënshtrohet vetëm ligjit përkatës të menaxhimit të financave publike. Ky strukturim ligjor nuk është tipik për një administratë të shërbimeve publike, ku veprimtaria drejtohet nga një ministri e linjës ose agjenci ekzekutive sipas nenit 13.4 të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura.
Për fund, Bordi Drejtues e siguron publikun se mbeten të përkushtuar që procesi i rekrutimit për Drejtorin e Fondit të kryhet në mënyrë të drejtë, meritore, transparente dhe ligjore.