Sqarim për opinionin publik (vazhdim)


Prishtinë 03/06/2022



Përmes kësaj komunikate për media Fondi njofton opinionin publik se vazhdon të ndjekë me shqetësim të gjitha kronikat e raportuara në mediumin Koha lidhur me Programin e Trajtimeve Mjekësore Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (më tutje TMJISHP).

Raportimet e këtij mediumi po vazhdojnë të behën në emër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (më tutje Fondi) përkundër faktit që ne kemi sqaruar se ky program nuk menaxhohet vetëm nga Fondi, përkatësisht Fondi ka vetëm rol administrativ në ketë proces (procesi i aplikimeve dhe pagesat në bazë të vendimeve të aprovuara nga Bordi i TMJISHP-ve).

Sipas Udhëzimit Administrativ Nr.03/2017 për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, programi TMJISHP-ve fillon me Mendimin Konziliar, dokument i lëshuar nga QKUK. Neni 3. Pika 1.7. “Komisioni Konziliar - është trup profesional i përberë prej (3) tre mjekeve specialist të fushës përkatëse të Klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”. Pika 1.10. “Raporti i Komisionit Konziliar – është dëshmia se pacienti me diagnozën e vërtetuar nga mjeket e Komisionit Konziliar nuk mund të trajtohet brenda institucioneve shëndetësore publike”.

Derisa sipas udhëzimit të lartcekur përgjegjësitë vendimmarrëse i kanë dy (2) trupat e themeluara nga Ministria e Shëndetësisë (Komisioni për Vlerësim Mjekësor si dhe Bordi për TMJISHP).

 

  •   Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Mjekësor janë të përcaktuara më udhëzimin e lartcekur Neni 10, Pika 1 “Komisioni për Vlerësim Mjekësor është trup administrativ i cili shqyrton, vlerëson dhe aprovon ose refuzon aplikacionin”, Pika 6. “Vlerësimi i Komisionit i dorëzohet për shqyrtim Bordit Ekzekutiv për procedurat e mëtutjeshme”; dhe
  •      Detyrat dhe përgjegjësitë e Bordit për TMJISHP janë të përcaktuara më Nenin 11. Pika 2. “Bordi është kompetent për aprovimin/refuzimin e shumes financiare, për trajtim  mjekësor”; Pika 3. “Bordi  është kompetent të kërkoj sqarime shtesë nga komisioni mjekësor ose për mendimin konziliar” Pika 4. “Bordi mund të kërkoj sqarime nga institucionet private lidhur me ndonjë paqartësi eventuale. Bordi mund të kërkoj nga Inspektorati që të bëjë inspektim për raste të caktuara kur mendon që janë bërë shkelje nga institucionet”.

Bazuar në kompetencat e lartcekura lidhur më programin e TMJISHP-ve kërkojmë nga mediat dhe palët tjera të interesit që pyetjet dhe kërkesat për qasje dokumente zyrtare t’i adresoni tek institucionet përkatëse, sipas fushave të përgjegjësisë.

Megjithatë edhe përkundër sqarimeve të lartpërmendura, ne i ftojmë të gjitha organet e drejtësisë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtyre rasteve për të cilat pretendohet në raportimet e mediumit Koha.

Përveç kësaj ne ju rikujtojmë të gjithë atyre të cilët kanë informata për keqpërdorime dhe nuk i raportojnë ato të organet përgjegjëse, janë duke kryer vepër penale. Ref: Kodi Nr. 06/L-074 Kodi Penal i Republikës së Kosovës, Neni 378. Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre, pika 1. “Kushdo që është në dijeni për identitetin e kryesit të një apo më shumë prej veprave penale në vijim dhe nuk e lajmëron faktin e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”.