Sqarim për opinionin publik


Prishtinë 31/05/2022



Përmes kësaj komunikate për media Fondi njofton opinionin publik se me shqetësim ka përcjellur raportimin në lajmet e mbrëmjes, në KTV, të datës 30.05.2022  lidhur me Programin e Trajtimeve Mjekësore Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (më tutje TMJISHP).  Fondi vlerëson se ky raportim njësoj mund të shkaktojë shqetësim edhe për qytetarët  edhe për palët tjera të interesit, prandaj, sipas përgjegjësisë dhe mandatit të vet ligjor do të ofrojë të gjitha informatat e nevojshme lidhur me këtë program.

Sipas këtij raportimi, programi i lartcekur është plotësisht i pakontrolluar si dhe menaxhimi i tij le dyshime për abuzime dhe keqpërdorime në emër të pacientëve të sëmurë rëndë. Gjithashtu është raportuar se gjashtë (6) herë kanë kërkuar qasje për dokumente zyrtare, si dhe Fondi paguan faturat ashtu siç lëshohen nga institucionet shëndetësore private (spitalet).

Duke u bazuar në angazhimet e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (më tutje Fondi), e posaçërisht për ndjeshmërinë e këtij programi, ne (Fondi) ofrojmë informata shtesë të cilat dëshmojnë se raportimi i bërë në KTV për programin e TMJISHP-ve nuk është i saktë.

Për sqarime shtesë, Programi i TMJISHP-ve menaxhohet nga tri (3) institucione.

  • QKUK e cila lëshon dokumentin (mendimin konzular), si dëshmi se trajtimi mjekësore nuk mund të realizohet brenda institucioneve publike shëndetësore;

Ministria e Shëndetësisë (Komisioni Mjekësor dhe Bordi Ekzekutiv i TMJISHP-ve, trupa të themeluara nga Ministri), të cilat shqyrtojnë dhe aprovojnë lëndët (aplikimet e pacienteve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike); si dhe

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i cili luan rol administrativ në ketë proces, përkatësisht pranon aplikimet e pacienteve dhe kryen pagesat pas shqyrtimit dhe aprovimit nga trupat e Ministrisë së Shëndetësisë (Komisioni Mjekësor dhe Bordi Ekzekutiv i TMJISHP-ve).

  • Fondi në fillim të vitit 2019 është ndarë nga Ministria e Shëndetësisë si organizatë buxhetore e veçantë, dhe nga kjo datë Fondi u është përgjigjur të gjitha kërkesave nga të gjitha mediat ose palët tjera të interesuara, përfshirë edhe ato për qasje në dokumente zyrtare. Me tutje sipas udhëzimit administrativ për programin e TMJISHP-ve, faturat fillimisht shqyrtohen dhe aprovohen nga dy (2) trupa të themeluara nga Ministri i Shëndetësisë (Komisioni Mjekësor dhe Bordi Ekzekutiv i TMJISHP-ve), e pas aprovimit Fondi vazhdon me procedurat për pagesë në përputhje më kornizën ligjore për financa.

Më pas Fondi si mekanizëm shtesë ka themeluar edhe Komisionin e barazimeve, komision i cili kontrollon çdo transaksion (nëse shërbimi është bërë në përputhje të plotë më pagesën e bërë nga Fondi). Komisioni i barazimeve është themeluar në fillim të vitit 2019, në funksion të ngritjes së kontrollit si mekanizëm shtesë në menaxhimin e këtij programi. Deri më tani, ky komision ka identifikuar mjete të lira në vlerë rreth 1.3 mil € të cilat janë shfrytëzuar për dërgimin e pacienteve për trajtim mjekësor nga listat e pritjes.

Konfirmimi i angazhimeve tona potencohet edhe në raportet e rregullta vjetore nga Zyra Kombëtare e Auditimit, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar (Kushtetuta e Kosovës, Neni 136), e posaçërisht në auditimin e performancës për ketë program, auditim i cili potencon se Fondi ka përmirësim të avancuar në menaxhimin e këtij programi.