Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi raporton para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike lidhur me raportin e performancës nga Zyra Kombëtare e Auditimit


Prishtinë 28/04/2021



Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin e performancës më temë “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve“, raporti i cili mbulon tri (3) institucione, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësorë, si palë në administrimin e programit. Auditimi i lartcekur përpos tjerash thekson në veçanti progresin e avancuar të Fondit në zbatimin e rekomandimeve.

Në takimin e mbajtur, Drejtori i Fondit, falënderoi Zyrën Kombëtare të Auditimit për rekomandimet e dhëna në drejtim të avancimit të mëtejmë në administrimin e programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, si dhe njoftoi anëtarët e komisionit për progresin e arritur në zbatimin e të gjitha rekomandimeve të dhëna në ketë raport për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Pas pranimit të raportit të performancës, Fondi ka marrë veprime të menjëhershme duke hartuar planin e veprimit si dhe duke monitoruar proceset deri në zbatimin e plotë te të gjitha rekomandimeve. Lidhur me procesin e zbatimit të rekomandimeve Fondi ka raportuar rregullisht në Zyrën Kombëtare të auditimit, duke ju ofruar edhe dëshmitë për rekomandimet e zbatuara.