Fondi i Sigurimeve Shëndetësore përfiton nga ekspertiza gjermane përmes AOK Nordost


Prishtinë 25/02/2020



Bashkëpunimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore me ekspertët nga fondi gjerman i sigurimeve (AOK Nordost) ka vijuar gjatë kësaj jave me një punëtori të përbashkët gjatë së cilës janë trajtuar modalitetet teknike, formale dhe operacionale të jetësimit të sigurimeve shëndetësore nga këndvështrimi i administrimit efikas të financave.

Në këtë fazë të mbështetjes teknike dhe profesionale janë shtjelluar çështje që ndërlidhen me statusin e të siguruarve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, modalitetet e grumbullimit të kontributeve, si dhe parallogaritjen dhe balancimin e të hyrave dhe shpenzimeve të Fondit.

Në fazat e mëhershme të bashkëpunimit ekspertiza gjermane ishte përqendruar në fushën e financave, mbledhjes së premiumeve, ofrimin e shërbimeve si dhe në plotësimin të kornizës ligjore në mbështetje të hapave të mëtejme drejt lansimit të sigurimeve të detyrueshme shëndetësore.

Mbështetja e ekspertizës gjermane është duke u realizuar në kuadrin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë për shkëmbimin e përvojave në funksion të ngritjes së kapaciteteve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të nënshkruar në korrik të vitit të kaluar.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucionin i pavarur publik me përgjegjësi dhe autorizime të veçanta që, në emër të të siguruarve, të administrojë me mjetet financiare për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga institucionet shëndetësore në të gjitha format e pronësisë.