Merr udhë bashkëpunimi me fondin gjerman të sigurimeve


Prishtinë 31/01/2020



Një grup ekspertësh nga Fondi gjerman i sigurimeve (AOK Nordost) ka qëndruar gjatë dy ditëve të fundit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për t’i dhënë udhë jetësimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis dy institucioneve homologe të nënshkruar në korrik të vitit të kaluar.

Kjo fazë e parë bashkëpunimit nisi me ofrimin e ekspertizës gjermane në fushën e financave, mbledhjes së premiumeve, ofrimin e shërbimeve si dhe në plotësimin të kornizës ligjore në mbështetje të hapave të mëtejme drejt lansimit të sigurimeve të detyrueshme shëndetësore.

Sipas Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, z. Fatmir Plakiqi, bashkëpunimi me ekspertë nga Fondi gjerman i sigurimeve është gjithëpërfshirës dhe do të adresojë një spektër të gjerë veprimesh që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të Fondit, siç janë: përcaktimi i statusit të të siguruarve, procesi i mbledhjes së premiumeve dhe të hyrave të tjera, përpilimi i listës së barnave të rimbursueshme, llojet e sëmundjeve që do të mbulohen, plotësimet në kornizën ligjore, fushata informuese në ndërgjegjësimin e publikut mbi përfitimet nga fondi i sigurimeve, etj.

Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Fondin gjerman të sigurimeve i kishte paraprirë një bashkëpunim qeveritar, me ç’rast ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn ia kishte konfirmuar ministrit Uran Ismaili gatishmërinë e shtetit gjerman për mbështetje teknike dhe profesionale në jetësimin e sigurimeve shëndetësore.