Në Janar vijnë ekspertët gjermanë në Kosovë për sigurimet shëndetësore


Prishtinë 18/12/2019



Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn. Përmes kësaj letre, ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn konfirmoi gatishmërinë e shtetit gjerman për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.

Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nis menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti.

Gjatë një konferencë për media të mbajtur sot nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, Ministri Ismaili ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.

“Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt  ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili. Sipas Ministrit Ismaili projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.

Në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, theksoi: “Jemi krenarë që pas punës intensive të të dy ministrive tona të shëndetësisë, janë harmonizuar hollësitë e bashkëpunimit tonë në ngritjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës. Ne jemi të bindur që me një përkushtim të madh të Qeverisë së Kosovës dhe punën e përbashkët të të gjithë akterëve të përfshirë, mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët.”

Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Fatmir Plakiqi, ka thënë se përmes kësaj ndihme të shtetit gjerman, Fondi do të ngrisë kapacitetet e tij profesionale. Ky bashkëpunim do të përfshijë një mori procesesh, përfshirë: definimin dhe sqarimin e statutit të të siguruarit, sqarimin e procesit të mbledhjes së premiumeve dhe të hyrave tjera të gjeneruara, definimin e listës së barnave që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, llojet e sëmundjeve të mbuluara dhe grupet që do të përfitojnë, sqarime dhe mbështetje në legjislacion,  definimi i benifiteve/përfitimeve për të siguruarit pas fillimit të mbledhjes së premiumeve, etj.