Invalidët e luftës së UÇK-së përfitojnë përkrahje të plotë financiare nga programi për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike
Prishtinë
19/04/2024
Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor kanë trajtuar me prioritet kërkesën e shoqatës së invalidëve të luftës së UÇK-së për të përkrahur financiarisht nevojat specifike të trajtimit mjekësor për ndërrimin dhe mirëmbajtjen e protezave.
Pas shqyrtimit të kërkesës dhe analizimit të mundësisë së përkrahjes financiare sipas UA 03/2023 për TMJIShP, Ministria e Shëndetësisë, në zbatim të vendimin nr. 01/194 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka nxjerr vendim ku obligon Bordin për TMJIShP që personave me status të invalidit të luftës së UÇK-së t’i mundësohet përkrahja financiare për shërbimet e ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave, sipas kërkesës së përzgjedhur nga aplikuesi.
Ky vendim ka ndikuar jashtëzakonisht në shkurtimin e kohës së pritjes për këtë kategori dhe, përveç përkrahjes financiare për këto shërbime specifike do të ndikojë pozitivisht edhe në cilësinë e jetesës për personat e kësaj kategorie.
Kjo përkrahje do të vazhdojë për aq kohë sa klinikat përkatëse të QKUK-së nuk mund ti ofrojnë këto shërbime të domosdoshme për zhvillim normal të jetës së personave të kësaj kategorie.